Kryetari i Bashkisë së Dropullit, Dhimitraq Toli ka folur për situatën e zjarreve që përfshiu këtë të shtunë disa zona. Sipas Tolit, flakët janë përhapur shumë shpejt, ndërsa ka qenë mjaft e vështirë ndërhyrja e zjarrëfikësve.
“Situata nuk ka qenë e qetë, zjarri është përhapur në të gjitha fshatrat njëherësh dhe era ka bërë të pamundur që forcat të ndërhynin dhe të mundësonin fikjen e zjarrit. Ne kemi marrë të gjitha masat. Kam një falenderim të veçantë për bashkinë e Gjirokastrës, për forcat zjarrfikëse, për bashkinë e Memaliajt. Forcat e emergjencave civile, të gjithë kanë qenë në krahun tonë dhe na kanë mbështetur për këtë situatë të vështirë”, ka thënë Toli.
Më tej, ai shtoi se zjarri rrezikoi edhe disa banesa në fshat, ndërsa janë djegur dhjetëra hektarë kullota dhe një stan pa bagëti bregda.
“Zjarri ka qenë në fshatin Lugar dy metër afër një banese. Shpëtuam një shtëpi atje dhe siç e shikoni këtu përballë, zjarri ka qenë me metra afër banesave. Ne kemi që në mëngjes që merremi me këtë, kemi bërë çfarë ishte e mundur. Një bilanc akoma nuk kemi, por janë djegur kullotat dhe një stan në fshatin Goricë. Sipërfaqja është e madhe dhe akoma nuk mund të them se sa janë djegur”, tha ai.



