Ka nisur procedimi penal për gra në Shkodër pasi shfrytëzonin fëmijët e mitur për të lypur në rrugë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër, gjatë patrullimeve të vazhdueshme në të gjithë territorin e qarkut, kanë konstatuar se në 2 raste, të mitur dhe foshnje, shfrytëzoheshin nga të afërm të tyre, për të lypur, dhe se duke e kryer këtë veprimtari të kundërligjshme në mes të akseve rrugore, ishin burim rreziku.
Për këto dy raste, janë referuar materialet procedurale në Prokurori, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, për shtetaset D. J., 64 vjeçe dhe L. J., 20 vjeçe, të cilat u konstatuan në mes të rrugës, në afërsi të urës së Bahçallëkut, teksa lypnin përkatësisht me nipin dhe me fëmijën, 5 dhe 1 vjeç.
Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, do të vijojnë. Policia e Shkodrës apelon për prindërit dhe qytetarët që të mos shfrytëzojnë të miturit për veprimtari ekonomike të papërshtatshme me moshën e tyre, pasi përveç se përbën një paligjshmëri të dënueshme nga Kodi Penal, ky veprim dëmton dhe shëndetin psiko-emocional të fëmijës.



