
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, inspektoi sot masat shtesë të marra për rritjen e sigurisë në plazhe. I shoqëruar nga drejtori i DVP Lezhë Drejtues i Parë, Vehbi Bushati, ai zhvilloi një takim me efektivët e Stacionit të Policisë Shëngjin dhe më pas me efektivët e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët mbulojnë zonën bregdetare në qarkun Lezhë.
Nano ka kërkuar nga drejtuesit e strukturave, si dhe nga efektivët, angazhim dhe përkushtim, për zbatimin me rigorozitet të detyrave dhe masave shtesë të caktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve që cenojnë jetën dhe shëndetin e pushuesve në plazhe e zona turistike.
Punoni me përkushtim dhe përgjegjësi, pasi detyra që kryeni është sa e vështirë, aq edhe fisnike. Me punën, angazhimin dhe ndershmërinë tuaj keni në dorë jetën e sigurinë e qytetarëve, imazhin e Policisë së Shtetit, si dhe të vendit në tërësi. Ky është privilegj, po aq edhe përgjegjësi, ndaj mos neglizhoni askënd, cilido qoftë, zbatoni ligjin e vetëm ligjin dhe shërbejuni qytetarëve me përkushtim e humanizëm.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë vrojtimit me dylbi dhe kamera nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues në zonat ku ka pushues.



