14-vjeçari Martin Cani ndërroi jetë të hënën e 18 tetorit pas një sherri masiv mes adoleshentëve pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet. Gazetari Besmir Pula në një raportim për MCN TV tha që prindërit e nxënësve të shkollës shprehen se shkolla s’ka sigurinë e duhur. Ata kërkojnë praninë e oficerëve të sigurisë në shkollë.
“Prindërit shprehen të shokuar për ngjarjen. Bëjnë përgjegjës prindërit që s’kontrollojnë fëmijët e tyre. Shprehen që edhe shkolla s’ka sigurinë e duhur. Nuk ka një oficerë sigurie, që janë kryesisht në gjimnaze. Prindërit kanë kërkuar që pas kësaj ngjarje shkolla të ketë edhe oficerë sigurie. Pata një komunikim të shkurtër me një shok të ngushtë me Martin Canin, që bënin edhe rrugën për në shtëpi. Ky 14-vjeçar më pranon versionin e thënë nga burime konfidenciale në polici, që të premten kanë pasur një sherr. Është dukur sikur është shuar, por të rinjtë s’e kanë shuar mosmarrëveshjen. Mes tyre ka pasur një konflikt dhe janë larguar 200-300 metra për të sqaruar mosmarrëveshjen. Kanë qenë 5 adoleshentë të përfshirë në ngjarje”.



