
Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar rastin e një pronari të një lokali që ofron muzikë “live” për qytetarët në Tiranë, pasi gjatë periudhës që vendi ynë ishte izoluar si pasojë e pandemisë, shtetasi R. H., ushtronte aktivitetin e tij. Ky rast është dërguar në gjykatë për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Në prfundim, biznesmeni është dënuar për dy veprat penale me 80 ditë shërbim prove, duke përfituar kështu nga ulja e dënimit me 1/3. Por ccfarë ndodhi që biznesmeni R. H., përfundoi në gjykatë?
Pjesë nga vendimi i Gjykatës:
Më datë 31.10.2020 ora 05:00 Komisariati i Policise nr. 6 ka marrë njoftim nga salla operative se në Kombinat, kishte muzikë të lartë në lokalin “XXXXXX”.
Pas marrjes së njoftimit kanë kaluar shërbimet e policisë në adresën e dhënë ku shtetasi R. H., fillimisht nuk ka pranuar ta hapte derën e lokalit. Pas insistimit të policisë ky shtetas më pas e ka hapur derën dhe është konstatuar se kishte disa kliente në lokal, kryesisht femra që mendohet se ishin valltare të cilat janë shoqëruar në ambientet e policisë. Shtetasi R. H., në mënyrë të përsëritur ka shkelur aktin normativ anti-covid, në kundërshtim me masat e autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtezakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë. Ky shtetas është ndëshkuar me masë administrative në vlerën 1.000.000 lekë.
Është pyetur shtetasi R. H., i cili deklaroi se më datë 31.10.2020 ka qenë duke fjetur në lokal dhe disa mikesha të tij i kishin shkuar herët në mëngjes për të pirë kafe. Për këtë arsye shtetasi R. H., kishte ndezur ekspresin. Sipas tij, duke qenë se lokalin e ka të izoluar nuk kishte konstatuar punonjësit e policisë dhe nuk kishte dëgjuar as derën kur kishin shkuar punonjësit e policisë.
Pasi kishte ndezur kamerat e lokalit kishte parë disa punonjës policie jashtë lokalit dhe kishte menduar se kishte ndonjë problem në lagje për këtë arsye nuk e kishte hapur derën. Më pas kishte parë se punonjësit e policisë po i binin derës së tij dhe kishte shkuar të hapte derën. Sipas tij, për shkak të një problemi familjar jeton në lokal.
I është marrë deklarim shtetases S. S., e cila deklaroi se prej një viti është e punësuar si menaxhere në lokal. Sipas saj, lokali ka aktivitet “Bar Kafe Muzikë”, por që në momentin që ka filluar pandemia lokali nuk funksionon me muzikë por vetëm bar-kafe. Në datë 31.10.2020 kjo shtetase sqaroi se e kishte hapur lokalin në orën 05:20 minuta. Në momentin që po priste ekspresin të ngrohej për t’ju bërë kafe disa klientëve, banorë të lagjes, kishte shkuar policia te dera e lokalit. Më pas kishte njoftuar pronarin e lokalit i cili po flinte gjumë në lokal.



