
Në një vjetorin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të shtetit, për të parandaluar raste të tjera të ngjashme.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se një vit pas vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit, gjykatat dhe prokuroritë nuk kanë ende një strukturë policore të posaçme dhe se nuk ka mekanizëm për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar.
Ndër të tjera shtohet se magjistratët përballen çdo ditë me çështje për krime të rënda, krim të organizuar dhe korrupsion, dhe shpesh bëhen, bashkë me familjet e tyre, objekt kërcënimesh e presionesh.
Theksohet se kujtimi i gjyqtarit Astrit Kalaja nuk mund të mbetet vetëm homazh, por se nderi dhe dinjiteti i shtetit shqiptar kërkojnë veprim.
Magjistratët kërkojnë të miratohet një kuadër ligjor gjithëpërfshirës për sigurinë e institucioneve të drejtësisë, duke nënvizuar se siguria e magjistratit nuk është privilegj, por se është garanci për çdo qytetar që kërkon një drejtësi pa frikë dhe pa presion.
Në këtë përvjetor, ne, magjistratët e Shqipërisë, përkulemi para kujtimit të tij dhe qëndrojmë pranë familjes së tij. Por përkujtimi dhe solidariteti nuk mjafton. Një vit pas vrasjes, organet shtetërore ende nuk i kanë njohur gjyqtarit Astrit Kalaja statusin “Dëshmor i Atdheut”, që i takon një gjyqtari të vrarë në detyrë.
Procedurat vazhdojnë të zvarriten, duke i detyruar familjarët që t’i drejtohen gjykatës. Për fëmijët e tij, njëri prej të cilëve i mitur, nuk është parashikuar asnjë trajtim i posaçëm institucional. Kërkesat e magjistratëve për masa që do ta lehtësonin sadopak dhimbjen e tyre kanë mbetur gjithashtu pa përgjigje. Edhe siguria ka mbetur në vend.
Një vit pas vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit, gjykatat dhe prokuroritë nuk kanë ende një strukturë policore të posaçme. Nuk ka mekanizëm për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar. Nuk ka një kuadër ligjor të ri për sigurinë e institucioneve të drejtësisë. Nga autoritetet kompetente mungon ende një reagim konkret dhe i qëndrueshëm.
Nëse një gjyqtar nuk është i sigurt në sallën e gjyqit, sa i sigurt është qytetari që hyn në të? Sulmi ndaj gjyqtarit Kalaja ishte sulm ndaj gjithë sistemit të drejtësisë, ndaj gjykatës që vendos, por edhe ndaj qytetarit që kërkon drejtësi. Një vit më parë humbëm një koleg. Shteti nuk duhet të presë humbjen e një tjetri për të vepruar.



