
Policia e Lezhës ka asgjësuar përmes djegies 338 bimë kanabis dhe ka arrestuar 42-vjeçarin me iniciale R.V si autori i dyshuar në këtë veprimtarie kriminale në fshatin Gjadër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. Njoftimi i policisë: Lezhë/Vijon megaoperacioni policor antikanabis i koduar "Imazhi". Finalizohet faza e 31-të, si rezultat i kontrolleve me dron dhe me forca policore në terren. Asgjësohen nëpërmjet djegies, në total 338 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në një parcelë toke në fshatin Gjadër, Lezhë. Identifikohet dhe ndalohet autori i dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve. Në zbatim të planit operacional me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 31-të të megaoperacionit policor antikanabis në nivel qarku, të koduar "Imazhi". Gjatë kësaj faze, si rezultat i kontrolleve nga toka dhe me dronë, në fshatin Gjadër njësia administrative Dajç, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara 338 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasit R. V., 42 vjeç, banues në fshatin Kukel, Shkodër. Vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.



