Një operacion antidrogë i koduar “Momenti” është finalizuar në Tiranë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve.
Policia ka goditur në flagrancë një rast të shitblerjes së lëndëve narkotike dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar, të moshave 19 dhe 26 vjeç.
Në kuadër të operacionit, të rinjtë u kapën në rrugën “Egnatia”, ndërsa sipas Policisë, 19-vjeçari D. Sh. po i dorëzonte 26-vjeçarit D. F. një çantë me 211 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Gjatë kontrollit të banesës së 19-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 41 gramë të tjera lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan 252 gramë kokainë, një automjet tip “BMW” dhe tre telefona celularë.
Sipas Policisë, operacioni u finalizua pas administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative për përfshirjen e dy shtetasve në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



