
Lihen në burg nga ana e gjykatës së Selanikut deri në përfundim të hetimeve tre personat e arrestuar, dy shqiptarë dhe një kroat pasi u kapën dy ditë më parë me mbi 300 kg kokaine.
Në gjykatë shqiptarët mohuan përfshirjen në këtë çështje. Mediat greke raportojnë se shqiptarët kanë në pronësi një hotel në Rodos dhe udhëtuan në Selanik për të blerë pajisje për biznesin e tyre.
Ndërsa shtetasi kroat, pranoi akuzat që rëndonin mbi të. Ndërkohë policia greke është në kërkim të një personi të katërt, një 33-vjeçar kroat.
Operacioni policor u krye pas informacionit nga DEA për mbërritjen në Evropë të një kontenieri me një sasi të madhe kokainë, me shumë gjasa nga Amerika Latine.
Nga aksioni janë sekuestruar 324 kg kokainë e pastër e ndarë në 260 pako, 5,265 euro dhe valutë të huaj, 5 celularë dhe laptopë.
Sipas policisë greke, anëtarët e kësaj bande kanë furnizuar me kokainë të gjithë ishujt grekë. Ndërkohë, vijon operacioni për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të kokainës.



