Tre policët e rrëmbyer para dy ditëve në brendësi të Kosovës janë në Kralevë, ku momentalisht po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tyre. Avokati nga Serbia, Çedomir Stojkoviq, ka pretenduar se policët e Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga xhandarmëria e Serbisë brenda territorit të Kosovës, gjenden në Kralevë. Sipas tij, aktualisht ndaj tyre është duke u zhvilluar seanca gjyqësore, ku Prokurori i lartë Publik do ta paraqesë kërkesën për paraburgim. “Tre policët e arrestuar të Kosovës, R.Z., B.S. dhe M.S ndodhen në Kraljevë, ku momentalisht po zhvillohet seanca e tyre para prokurorit të Lartë Publik në Kraljevë. Pas kësaj, prokurori i lartë publik në Kraljevë do të vendosë nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendosë nëse do të caktojë paraburgim për 30 ditë. E gjithë kjo duhet të vendoset deri në orën 12:30, kur skadon 48-orët e ndalimit policor”, ka thënë ai. Ndryshe, ShBA ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Kurse KFOR-i ende nuk ka dalë me deklaratë zyrtare për të treguar se ku janë rrëmbyer policët. Ata vetëm kanë thënë se janë në komunikim me të dyja palët, me Kosovën dhe Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, ka kërkuar nga KFOR-i të marrë më shumë përgjegjësi dhe të tregojë se në cilin vend janë rrëmbyer policët.



