Policia e Korçës ka arrestuar dy persona gjatë ditës së sotme, pasi janë kapur me arme zjarri në makinë. Sipas bluve të qutetit juglindor, në pranga kanë përfunduar Daniel Isuf, 27 vjeç banues në Korçë dhe Stefano Hoxha, 24 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u bë në flagrancë pas marrjes së informacioneve në rrugë operative nga policia se dy të rinjtë qarkullonin me armë zjarri në qytet. Pas kësaj, u organizuan shërbimet e Policisë të cilat bënë të mundur ndalimin në lagjen numër 18 në Korçë, të automjetit tip “BMW” me targa AA 881 ME me të cilin udhëtonin autorët.
Gjatë kontrollit të mjetit policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip “Ekol” me krehër pa fishekë, të cilën e posedonin pa lejen e organeve përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” kryer në bashkëpunim.
