
Gjykata Kushtetuese njoftoi sot hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant- gjyqtar me mandat të plotë 9-vjeçar.
Shpallja e këtij njoftimi përfshinte dhe emrin e anëtarit të cilit i përfundon mandati, Altin Binaj.
Kushtet që duhet të përmbushë kandidati janë mbarimi i arsimit të lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; mos-ushtrimi i funksioneve politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit etj.
Ndër të tjera, kandidati duhet të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike.
Plotësimi i kritereve të do të vlerësohet në bazë të vjetërsisë në profesion; përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, etj.
Kandidatët e interesuar, cilëson njoftimi, duhet të paraqesin dokumentacionin në zyrën e protokollit të Kuvendit.
Lista e kandidatëve, më pas, do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Kandidaturat do t’u përcillen në vijim Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.



