Policia e Tiranës ka njoftuar finalizimin e operacionit antidrogë të koduar “Collaboration”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.
Gjatë operacionit, u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të cilët u kapën me një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjeje në zonën e Kamzës.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi rreth 700 gram kanabis dhe 3 aparate celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekspertizës për vijimin e hetimeve.
Operacioni u organizua mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, që çuan në lokalizimin dhe ndalimin e të dyshuarve.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: S. C., 22 vjeç, R. Gj., 22 vjeç dhe një shtetas i mitur, 17 vjeç.
Shërbimet e Policisë lokalizuan tre shtetasit në rrugën “Azem Galica”, Kamëz, të cilëve iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen në këtë zonë. Nga hetimet ka rezultuar se lënda narkotike është siguruar nga shtetasi S. C.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 17-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



