Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Lushnje–Berat, në afërsi të fshatit Fiershegan, ku një automjet është përplasur me një motomjet, duke lënë të plagosur rëndë drejtuesin e këtij të fundit.
Sipas të dhënave paraprake nga policia rrugore, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Benz” me targa AB569KX, i drejtuar nga shtetasi F. Dervishi, dhe një motomjet pa targa. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motomjetit ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë nga ambulanca drejt spitalit të Lushnjes, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë dalja e automjetit nga një rrugë dytësore në aksin kryesor, duke i prerë rrugën motomjetit.
Ndërkohë, identiteti i drejtuesit të motorit nuk është bërë ende i ditur, pasi ai nuk kishte dokumente identifikimi me vete dhe mjeti rezulton pa targa.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.



