Komisariati i Policisë Nr. 6 i Policisë në Tiranë ka njoftuar se në kuadër të operacioni policor të koduar "Two times", ka arrestuar dy të rinjtë të cilët vodhën dy herë në të njëjtën banesë dhe arritën të marrin 1 000 000 lekë të rinj dhe bizhuteri floriri.
Si rezultat u bë arrestimi i shtetasve L. H., 25 vjeç dhe R. Xh., 22 vjeç, të dy banues në Kombinat, Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 15.05.2023 dhe 18.05.2023, kanë vjedhur bizhuteri të ndryshme floriri dhe shumën 1 000 000 lekë të rinj, në banesën e një shtetasi, në Sharrë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa prej bizhuterive që dyshohet se janë vjedhur në këtë banesë, si dhe një palë doreza që dyshohet se autorët i kanë përdorur gjatë dy vjedhjeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.



