“Terminali” u kodua një operacion i Njësisë Speciale Fast Albania, duke vënë në pranga një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim mes Policisë Kufitare Rinas, Interpol Tirana, policisë Tiranë dhe autoritetet ligjzbatuese gjermane.
Bazuar në informacionet e siguruara, është vënë në pranga R. F., 31 vjeç, i cili kishte udhëtuar në drejtim të vendit tonë me linjë ajrore, është shoqëruar dhe i është nënshtruar një verifikimi më të detajuar.
Gjatë veprimeve ka rezultuar se i dyshuari, dokumentin e identifikimit që i kishte paraqitur punonjësve të Policisë Kufitare Rinas, e kishte të falsifikuar.
Nga verifikimi i detajuar ka rezultuar se bëhej fjalë për shtetasin S. D., 32 vjeç, me shtetësi gjermane, i cili për të shmangur identifikimin e tij, ka paraqitur një pasaportë false me identitetin e një shtetasi nga Ukraina.
S. D., 32 vjeç, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Stuttgartit, Gjermani, ka lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar për veprën penale “Shkelja e ligjit mbi drogat”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Gjermanisë.



