Një 30-vjeçar është plagosur me pistoletë në Malësi të Madhe, ndërsa është arrestuar autori i dyshuar i ngjarjes.
Shërbimet e Policisë, pas njoftimit se në vendin e quajtur “Qafa e Bardelecit”, në fshatin Vermosh, Malësi e Madhe, ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në këtë adresë.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Gjergj Marku kishte plagosur me armë zjarri pistoletë, në dorë, shtetasin M. P., 30 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, shtetasi Gjergj Marku ka dëmtuar automjetin e shtetasit D. Q. dhe e ka kanosur atë, pasi i ka ofruar ndihmë shtetasit të plagosur.
Falë veprimeve të shpejta operacionale, pas disa minutash ndjekjeje, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin Gjergj Marku, 55 vjeç.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e shtetasit Gjergj Marku, shtetasen E. M., pasi ka qenë prezente gjatë konfliktit dhe ka kanosur shtetasin D. Q.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



