Avokati Arbër Hoxha për hetimet lidhur me dosjen “AKSHI”, thotë kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal dhe jo me organizatë kriminale.
Në një intervistë për emisionin “FactCheck” në MCN TV, ai deklaroi se duhet të ketë hetim pasuror, jo vetëm për shoqëritë tregtare, por dhe për personat e përfshirë.
Besoj se për shkak të titullit të dispozitës kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal. Është hera e disatë që SPAK ngre krimin shtetëror në fushën financiare, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Por nëse kanë vepruar ose jo, këtë do e vendosë gjykata.
Deri më sot shumë kultivues të lëndëve narkotike që kultivonin kanabis në fshatra të thellë, janë dënuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në këtë rast nga ana formale provohen elementët e grupit të strukturuar kriminal. Për sa kohë që nuk kanë masë pezullimi për ushtrimin e detyrës zonja Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi mund ta ushtrojnë detyrën nga shtëpia.
Duhet të ketë reagim të ministrit për shkarkimin nga detyra. Patjetër duhet të ketë hetim pasuror, jo vetëm për shoqëritë tregtare, por dhe për personat e përfshirë aty.
Deri tani mund të jenë dënuar persona të caktuar për abuzim me fondet shtetërore, por konfiskimi i pasurive si pasojë e abuzimit me fondet shtetërore, krahasuar me ato të grupeve kriminale, është një raport shumë i zhdrejtë dhe kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme, që paratë e qytetarëve të mos iu kthehen qytetarëve.
Qytetarëve iu intereson që fondet e vjedhura të buxhetit të shtetit t’iu kthehen qytetarëve, se sa dënimi me burgim, qoftë dhe me vite të gjata. Një grup i strukturuar kriminal ka më shumë se sa tre elementë.
Grupi i strukturuar kriminel mund të ketë një ose disa liderë që bashkërendojnë punët, dhe ka një ndarje të caktuara të roleve, ndryshe nga organizata kriminale që përfshin disa klane mafioze. Tani jemi vetëm në fazën e dyshimit të arsyeshëm.



