Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, së bashku me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu inspektuan masat për festat e Fundvitit në sallën operative te DVP Tiranë. Në përfundim të inspektimit, ministri Lleshaj nënvizoi se të gjithë treguesit që karakterizojnë sigurinë publike në vend janë në nivelet më të mira historike.
“Po i afrohemi fundit të vitit 2019 dhe të gjithë treguesit që karakterizojnë sigurinë publike në vend janë në nivelet më të mira historike, ndërsa sa i takon festës së fundvitit, një pjesë e madhe e punonjësve të Policisë së Shtetit do të jenë në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë”, deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Duke folur për masat e fundvitit, ministri Lleshaj nënvizoi se këtë fundvit, puna e policisë është e fokusuar në tre elementë, kufirin, rendin dhe parandalimi i përdorimit të lëndëve piroteknike.
“Aktualisht Policia është e fokusuar në disa drejtime kryesore, e para në menaxhimin e gjithë fluksit të kalimit në pikat kufitare, për arsye se fundi i vitit shton numrin e qytetarëve shqiptarë që hyjnë apo dalin nga territori. Po kështu, shtoi Lleshaj, vëmendje e madhe i kushtohet trafikut, sigurisht atij rrugor në përgjithësi, luftës ndaj krimit dhe mbajtjes nën monitorim të elementëve me precedent penal, si edhe çështje që kanë të bëjnë me rendin publik”.
“Kryesisht fokusi i veçantë i Policisë është ruajtja e festës nga zhurmat nga incidentet, nga fishekzjarrët, shpërthimet, kapsollat, dhe elementët e tjerë piroteknikë që kanë shqetësuar për vite me radhë qytetarët, duke krijuar dhe probleme të mëdha. Pra për t’i përmbledhur fokusi është kufiri, është rendi publik, janë elementët me precedent penal, është dhe përpjekja për të siguruar qetësinë e festës duke parandaluar me vendosmëri të lartë përdorimin e mjeteve piroteknike, që siç përmenda kanë shkaktuar dëme të mëdha, deri në dëme për jetën,”, theksoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj bëri thirrje për bashkëpunim më të madh mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit me qëllim për parandalimin e situatave të padëshiruara.
“E rëndësishme mbetet që qytetarët të informojnë Policinë e Shtetit, qoftë përmes numrit të telefonit 112 apo numrave të tjerë, qoftë përmes komisariatit digjital apo rrugë të tjera, për të garantuar që festat të zhvillohen në qetësi të plotë dhe për të mënjanuar çdo incident apo çdo person që mundohet të shfrytëzoj këto festa për të kryer veprimtari të dëmshme. Të jeni të bindur se polica do jetë në kohën e duhur aty ku është e nevojshme. Një numër i madh i punonjësve të Policisë së Shtetit do të jetë në shërbim dhe jo në festë”, theksoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.



