Një 42-vjeçar me inicialet R.H., u arrestua në flagrancë në rrugën “Princ Vidi” në Tiranë, pasi iu kap një armë zjarri automatik, një pistoletë me mulli dhe municion luftarak.
“Finalizohet, nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar "Gun", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Mbante armë zjarri pa leje në banesë, arrestohet poseduesi. Sekuestrohen një armë zjarri automatik, një pistoletë me mulli dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën "Princ Vidi" një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë ushtruar kontroll në adresën e dhënë dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin R. H., 42 vjeç. Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë gjetën dy armët e zjarrit, njëra prej tyre me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.



