
Havier Dobi, djali i pastrueses Rozeta Dobi, në shtëpinë e së cilës u gjetën mbi 500 mijë euro të vjedhura, është marrë sot në pyetje nga prokuroria e Tiranës. Nën masa të rrepta sigurie, Dobi ka mbërritur rreth mesditës në organin e akuzës, ku u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për më shumë se një orë.
Prokuroria po merr dëshminë e Dobit në lidhje me sasinë e parave të gjetura në shtëpinë e prindërve të tij në fund të vitit të kaluar. Më shumë se 500 mijë euro u gjetën në shtëpinë e Rozeta Dobit gjatë një kontrolli që policia ushtroi në dhjetor, pas denoncimit të Alda Klosit për zhdukjen e një sasie rreth 120 mijë euro, të cilat deklaroi se familjarët i kishin mbledhur për kurimin e xhaxhati dhe dyshonte se ia kishte vjedhur pastruesja.
Kjo e fundit pranoi se kishte vjedhur në shtëpinë e Klosit shumën e pretenduar, ndërsa mbetet ende e paqartë se kujt i janë vjedhur pjesa tjetër e parave.
Nënë e bir vijojnë të mbeten në burg, pasi Apeli refuzoi kërkesën e tyre për ndryshimin e masës së sigurisë. Rozeta Dobi është pyetur katër herë nga organi i akuzës, ndërsa sot ka qenë radha e të birit.



