Janë zbardhur rrethanat e konfliktit të ndodhur tre ditë më parë në ambientet e jashtme të një lokali në Kamëz.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Details”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasin A. H., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas hetimeve, gjatë konfliktit më 17 prill, ku u përfshinë gjashtë persona, 23-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim kanosjen e njërit prej të përfshirëve në konflikt dhe një tjetër shtetasi që tentoi të ndërhynte. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Ndërkohë, pronari i lokalit, shtetasi Xh. D., po hetohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, R. S., R. S., F. Gj., D. D. dhe R. Gj., të cilët dyshohet se janë përfshirë në konflikt, si dhe për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



