
Elis Babo, personi i cili nga një publikim me video në media, shfaqet duke blerë vota me kandidatin për deputet të LSI në Tiranë Etion Joka, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi SPAK e akuzon për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
Sipas njoftimit, Blutë e Tiranës bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit Edison Babo 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin Etion Joka 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit E. B., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin E. J., 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës.
Në njoftimin zyrtar Policia e Shtetit bën të ditur se “në kuadër të procedimit penal, datë 23 prill 2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore”.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e shtetasit E. J.
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit E. B., për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, dhe në ngarkim të shtetasit E. J., për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.



