
Në pakënaqësi me rikthimin e reduktimeve të energjisë elektrike, sot në Kosovë do të protestohet.
Protesta do të fillojë në orën 13:00, para objektit të KEDS-it, për të vazhduar drejt objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kjo protestë vjen pas pakënaqësive rreth reduktimeve me rrymë, që kanë filluar që nga java e kaluar në Kosovë.
“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike. Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”, thuhet në njoftimin e protestës.
Ndryshe, në një mesazh që KEDS-i ka dërguar në adresë të qytetarëve, të martën e javës së kaluar, thuhet se kufizimet e furnizimit me energji elektrike vijnë pas udhëzimeve të KOSTT-it, për shkak të krizës energjetike.
“Për shkak të krizës energjetike dhe sipas udhëzimeve të KOSTT do të ketë kufizime të furnizimit me energji elektrike në orare të caktuara”, thuhej në njoftim.
Ndërkaq pas fillimit të reduktimeve, qytetarët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me orarin e reduktimeve.
Në shumë vende, reduktimet po zgjasin më shumë se dy orë, sa ishte paralajmëruar nga KEDS-i.
Kosova prodhon deri në 85 për qind të energjisë elektrike përmes termocentraleve me thëngjill dhe sasi shumë të vogla nga burimet e ripërtërishme, si hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet fotovoltaike.
Ndryshe Qeveria e Kosovës pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë të premten kishte njoftuar se ka vendosur masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilët do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.
Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë, vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Në vendim më tutje thuhet se Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.
Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast qeveria është e obliguar t’i ndërpres ato.
Në arsyetim e Qeverisë së Kosovës thuhet se Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.



