Një operacion policor i koduar “Dimali 3” ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë në qytetin e Dimalit.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit, pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda proaktive.
Si rezultat, janë arrestuar 3 pjesëtarë të grupit, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në zbatim të masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Beratit, u bë arrestimi në burg i shtetasve M. M., 22 vjeç, dhe A. B., 19 vjeç, si dhe u vendos masa “arrest në shtëpi” për shtetasin E. M., 17 vjeç, të tre banues në Kuçovë. Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim edhe shtetasit K. A., 26 vjeç, dhe A. B., 22 vjeç, ndaj të cilëve Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sipas hetimeve, këta shtetas vepronin të organizuar si grup, duke siguruar lëndë narkotike kokainë, të cilën më pas e ndanin në doza për shitje në qytetin e Dimalit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.



