
Ministri i Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, Niko Peleshi, me anë të një postimi në rrjete sociale ka bërë me dije se disa kontingjente të trupave ushtarakë, që morën pjesë në misionin e NATO-s në Afganistan janë rikthyer në vend.

“Kthehet Kontingjenti VI paqeruajtës i batalionit të Forcave Speciale dhe Kontingjenti XIII paqeruajtës i batalionit të dytë të këmbësorisë që morën pjesë në misionin ‘Resolute Support Mission’ në Kabul, Afganistan”, shkruan ministri.
Ky mision i udhëhequr nga NATO –ja nisi më 1 janar të 2015-ës, pas përfundimit të misionit të Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës së Sigurisë (ISAF).
Qëllimi i tij ishte të siguronte trajnime të mëtejshme, këshilla dhe ndihmë për forcat dhe institucionet afgane të sigurisë.
Në prill të 2021-in, aleatët vendosën të fillojnë tërheqjen trupave ushtarakë, e cila duhet të përfundojë brenda disa muajsh.
Më herët, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka pas një takimi me ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së NATO-s, ka vlerësuar vendimin e kësaj të fundit për tërheqjen e trupave nga Afganistani.



