Policia ka shoqëruar 45 persona në lidhje me vrasjen e dy të rinjve Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza të hënën në Shkozet të Durrësit.
Burime paraprake nga policia thanë se dy autorët kanë qëlluar me armë tip pistoletë, ndërsa dyshohet se janë vrasës me pagesë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se është qëlluar nga një automjet tip “Mercedes”.
35-vjeçari Shkoza është qëlluar me më shumë se 4 plumba në pjesën e kokës, çka i kanë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme.
Ndërsa viktima tjetër, Anxhelo Avdia, 24 vjeç, ka marrë disa plumba në pjesë të ndryshme të trupit.
24-vjeçari, sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, është transportuar i gjallë në spital, ndërsa në momentin kur e kanë marrë bluzat e bardha, ai ka ndërruar jetë.
Të njëjtat burime theksojnë se hetimet për atentatin e dyfishtë janë fokusuar në trafikun e lëndëve narkotike dhe te biznesi privat që kishte 35-vjeçari Dorjan Shkoza.
Ky i fundit mësohet se disa vite më parë ka qenë i dënuar me burg për trafik të lëndëve narkotike, çka dyshohet të jetë edhe shkak për ngjarjen.
Po ashtu, nuk është përjashtuar as ndonjë konflikt lidhur me biznesin e tij, një servis që shërben për lyerjen e makinave në Rrashbull të Shkozetit, shumë pranë vendit ku ndodhi ngjarja.



