Pesë persona u vunë në prangat e policisë së Lezhës gjatë fundjavës për parandalimin e fenomeneve kriminale dhe për goditjen e paligjshmërive, në kuadër të operacionit të koduar “Intensive”.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës dhe strukturat e tjera të kësaj DVP-je, si rezultat i kontrolleve intensive në terren, falë monitorimit të të gjitha akseve rrugore të qarkut me radarë, alkool-, drogë-testues dhe me pajisje të tjera të logjistikës bashkëkohore, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative, kanë finalizuar planin operacional të koduar “Intensive”, si rezultat i të cilit është evidentuar dhe goditur një rast tjetër i armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit B. K., 67 vjeç, në Fushë Milot, është gjetur e fshehur një armë zjarri automatik, të cilën ky shtetas e posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve, 67-vjeçari u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit që ai posedonte.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë edhe katër drejtues mjetesh, mes tyre A. H., 37 vjeç, banues në Kurbin, pasi është konstatuar në aksin rrugor “Thumanë - Lezhë”, duke drejtuar automjetin me shpejtësi tej normave të lejuara.
37-vjeçarit i është bërë shenjë ndalimi nga shërbimet e Policisë Rrugore, por nuk ka ndaluar dhe është larguar me shpejtësi. Menjëherë është organizuar puna policore për kapjen e tij, është bërë i mundur ndalimi i tij në Lezhë dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit.
Pas testimit me aparatin drogë-testues AquilaScan, 37-vjeçari ka rezultuar se e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Në pranga u vu edhe A. A., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi është ndaluar për kontroll në aksin rrugor “Laç- Milot”, teksa drejtonte automjetin e tij dhe pas testimit me aparatin drogë-testues AquilaScan, ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Po ashtu u arrestua edhe L. Ll., 44 vjeç, banues në Mirditë, pasi është ndaluar në kryqëzimin e Patokut, Kurbin, teksa drejtonte automjetin e tij dhe pas testimit me aparatin alkool-testues Drager, ka rezultuar se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, si dhe A. Rr. 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi është ndaluar në Milot, teksa drejtonte automjetin e tij dhe pas testimit me aparatin alkool-testues Drager, ka rezultuar se drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Materialet procedurale iu referuan prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme.



