Një operacion i policisë së Gjirokastrës, i koduar “Green Seed 2”, ka vënë në pranga një person të kapur me fara kanabisi, tre armë gjahu dhe 21 fishekë.
Operacioni u realizua gjatë së hënës, ku u vu në pranga Lame Kushta, 59 vjeç, banues në fshatin Këllëz, Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën 1381 fara të dyshuara si e bimës narkotike kanabis sativa, 3 armë gjahu pa lejet përkatëse dhe 21 fishekë arme gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.



