Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka marrë vendimin për gjyqtaren e Gjykatës Administrative, Arbena Ahmeti dhe për prokurorin e Tiranës, Ardian Braho.
Mësohet se KPK ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Gjykatës Administrative, Arbena Ahmeti, ndërsa është shkarkuar me shumicë votash Ardian Braho.
Procesi i vetingut për Ahmetin u krye nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Genta Tafa Bungo dhe Roland Ilia.
Arbena Ahmeti i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe u emërua gjyqtare në gjykatën e Lushnjës. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Tiranës.
Ndërsa Braho, në vitet 2003-2007, e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe prej vitit 2007 punon si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Ai u shkarkuar nga detyra, pasi ka pasur probleme me pasurinë.
Braho kishte mungesë të burimeve financiare të prindërve në blerjen e dy apartamenteve.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dukje se nga hetimi, prindërit e prokurorit nuk kishin pasur burime të ligjshme për blerjen e dy pasurive dhe se prokurori nuk kishte mundur të sillte dokumente që provonin të ardhurat e ligjshme për punën private të prindërve të tij.



