Qeveria e SHBA dhuroi sot për Forcat e Armatosura të Shqipërisë pajisje të reja dhe moderne për përballimin sa më efikas të përmbytjeve.
Pajisjet e reja u dorëzuan nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim në prani të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj dhe komandantit të Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku.
Ministri Peleshi falenderoi SHBA për donacionin e radhës dhe theksoi se këto pajisje të reja do të rrisin kapacitetet reaguese të FA ndaj fatkeqësive natyrore.
“Është një dhuratë e rëndësishme për ne, dhe për qytetarët e Shqipërisë të cilët janë duke u përballur me një situatë të vështirë, të krijuar nga reshjet intensive të shiut. Këto pajisje do të rrisin aftësitë e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Komandës Mbështetëse duke ndihmuar ekipet e kërkim-shpëtimit për t’iu përgjigjur në mënyrë më efektive një numri gjithnjë e më të madh emergjencash dhe gjithashtu do të ndihmojnë në mbrojtjen e jetës së personelit të Forcave të Armatosura ndërsa ata vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme, shpëtuese. Shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia dhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e përhershme, bujare dhe të pakufizuar për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura”- theksoi ministri Peleshi.
Ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim vlerësoi punën e FA shqiptare gjatë përmbytjeve dhe vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ajo tha se “javët e fundit kemi parë reshje dramatike këtu në Shqipëri dhe kemi dëshmuar shkatërrimin që vjen prej këtyre reshjeve të mëdha të shiut. Rrugë dhe ndërtesa të dëmtuara, fusha dhe qytete të përmbytura, qytetarë në nevojë për evakuim. Ushtria shqiptare ka punuar gjatë gjithë kohës për të ofruar ndihmë urgjente dhe e ka bërë atë në mënyrë të admirueshme”.

Pajisjet e reja janë kryesisht materiale dhe pajisje kërkim-shpëtimi ujor në raste emergjencash. Ndihma përfshin gomone, gjenerator, pajisje për heqjen e lagështisë dhe të ujit, thasë rëre, radio për komunikim në raste përmbytjesh, pajisje të ndihmës së shpejtë dhe ventilator të lëvizshëm.
Këto pajisje për kontrollin dhe parandalimin e përmbytjeve, të vlerës 300,000 dollarë, u dhuruan nga Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe do t’u vijnë në ndihmë punonjësve në vijën e parë për të kontrolluar përmbytjet në zonat më të prekura, si dhe për të vendosur nën kontroll situatat e emergjencës.
Që prej vitit 1999, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara ka siguruar mbi 13 milionë dollarë ndihmë humanitare për Shqipërinë.



