
Dy të vdekur dhe katër të lënduar rëndë nga një aksident trafiku në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ afër fshatit Peqan.
Rastin e ka konfirmuar kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, sipas të cilit viktimat si dhe të lënduarit janë shtetas të Shqipërisë.
Ata ishin duke udhëtuar me një minibus që lëvizte nga Prishtina për në Durrës dhe i cili, sipas Muharremajt, e ka devijuar rrugën dhe ka goditur një kamion.
‘Sot, më 05.10.2019, në ora 09:30, në autostradë, konkretisht në km e 36-të Vërmicë-Prishtinë (fshati Peqan Suhareke), ka ndodhur një aksident ku janë të përfshira dy automjete (një furgon udhëtaresh dhe një kamion). Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy persona dhe tre të tjerë janë lënduar. Kahja e autostradës në drejtim të Prishtinës është bllokuar, automjetet po orientohen në rrugë alternative’, ka thënë ai.
Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala, ka bërë të ditur se shoferi i furgonit të udhëtarëve është ndaluar nga policia dhe brenda pak orëve pritet të merret vendimi për arrestimin e tij.



