Prej 34 ditësh, banorët e fshatit Baks-Rrjoll po vijojnë rezistencën në mbrojtje të tokës së trashëguar nga të parët e tyre. Edhe këtë të martë, ndonëse në numër më të vogël, ata janë rikthyer në zonën ku po zhvillohen punimet nga kompania Gener 2.
Korrespondentja Bendis Druni, në një lidhje për “MCN Live”, bën me dije se pavarësisht protestës së vazhdueshme, punimet po avancojnë edhe gjatë ditës së sotme, nën prezencën e forcave të policisë.
Situata në terren mbetet e tensionuar, por pa incidente. Në zonë ndodhen 3-4 mikrobusë policie dhe efektivë në gatishmëri, megjithëse banorët po protestojnë në mënyrë paqësore dhe nuk kanë shkaktuar trazira.
Prania e përditshme e policisë, sipas banorëve, e bën situatën edhe më absurde.
Punimet në kantier vijojnë pa ndërprerje, çka tregon se, pavarësisht kundërshtimeve dhe pretendimeve të banorëve, projekti po ecën përpara.
Banorët e Baks-Rrjollit e konsiderojnë ndërtimin e resortit një padrejtësi ndaj tyre. Ata pretendojnë se biznesmeni Bashkim Ulaj, gjatë bashkëbisedimeve me ta, u ka ofruar kushte që i cilësojnë si të pafavorshme.
Ndërkohë, më shumë se 20 burra dhe djem nga fshati janë aktualisht në komisariat, pasi një ditë më parë u vetëdorëzuan pranë uniformave blu.
Pavarësisht kësaj, banorët shprehen se do të vijojnë të shkojnë çdo ditë në kantier, në shenjë kundërshtimi ndaj projektit.



