Policia Rrugore në Durrës ka zhvilluar këtë të premte kontrolle intensive për ndëshkimin e përdoruesve të automjeteve që shkaktojnë ndotje të ajrit në rrugë. Kontollet kanë pasur si objekt parandalimin e aksidenteve rrugore si dhe parandalimin e ndotjes së mjedisit gjithashtu.
Gjatë kontrolleve, policia bën të ditur se janë konstatuar 19 automjete, të cilat gjatë qarkullimit shkarkojnë tymra në ambient duke ndotur mjedisin.
Ndaj drejtuesve të këtyre automjeteve është vendosur masë administrative, gjobë, shuma e së cilës varion nga 5.000 deri në 10.000 lekë. Kjo masë është shoqëruar në të shumtën e rasteve gjithashtu edhe me tërheqjen e lejes së qarkullimit ndaj drejtuesve shkelës të rregullave të qarkullimit në rrugë.
“Po në vijim të këtyre kontrolleve janë konstatuar dhe ndëshkuar 12 mjete të tonazhit të rëndë që kanë shkelur orarin e lëvizjes në qytet. Drejtuesit e këtyre automjeteve janë ndëshkuar me masë administrative, gjobë, 3.000 lekë për secilin drejtues mjeti”, njoftton policia.
Edhe shërbimet e Policisë Rrugore në Vlorë, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe Patrullat e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontrolle për automjetet që qarkullojnë në rrugë me xhama të errësuar apo të riveshur, për drejtuesit e automjeteve që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, për subjektet që nuk përdorin rripin e sigurimit apo përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetet, për parandalimin e shpejtësisë tej normave të lejuara, garave të shpejtësisë di dhe paraakalimeve të gabuara.
Policia njofton se në këtë kuadër gjatë ditës së sotme janë ndëshkuar me gjobë nga 7.000 deri në 15.000 lekë 18 drejtues mjetesh të cilët kishin riveshur xhamat apo kishin errësuar dy deri në trefish më shumë se çertifikata e lëshuar si kufiri ligjor për errësimin e xhamave.
Këto kontrolle kanë pasqyruar ndëshkime që vijojnë si më poshtë:
•me masë administrative gjobë nga 6.000 deri në 20.000 lekë, 23 drejtues mjetesh për tejkalim të shpejtësisë tej normave të lejuara.
•me masë administrative gjobë prej 3.000 lekësh, 19 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara
•me masë administrative gjobë prej 15.000 lekësh, 16 drejtues mjetesh për drejtimin e mjetit pa vendosur rripin e sigurimit.
•me masë administrative gjobë nga 10.000 deri në 15.000 lekë, 11 drejtues mjetesh për drejtimin e mjetit duke përdorur celularin.
•si dhe me masë administrative gjobë nga 12.000 deri në 20.000 lekë, 9 drejtues mjetesh për drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit.
Kontrollet janë përqëndruar edhe tek drejtuesit e motomjeteve për kaskën mbrojtëse ku janë ndëshkuar 6 drejtues motomjetesh me masë administrative gjobë 6.000 lekë secili.



