Tre zyrtarë të Bashkisë Bulqizë u vunë në pranga me akuzën e falsifikimit të dokumenteve kundrejt pagesave monetare.
Në pranga kanë rënë Luan Mjeshtri, administrator i njësisë administrative Ostren, vëllai i kryetares së bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, si dhe dy zyrtarë të tjerë: Fitim Balla, sekretar i Këshillit Bashkiak në bashkinë Bulqizë dhe Arlin Limani, specialist i Shërbimit Social në njësinë administrative Ostren.
Tre të arrestuarit dyshohet se kanë lëshuar vërtetime të origjinës, në këmbim të pagesave monetare për marrjen e shtetësisë bullgare.
Arrestimet janë bërë pas publikimit të disa video-përgjimeve të një qytetari në një emision investigativ. Vërtetimet e origjinës të falsifikuara u morën duke dorëzuar fotokopje të certifikatave të banorëve nga Njësia Administrative Trebisht dhe Stërblevë e Librazhdit. Këto vërtetime shiteshin për 90 apo 100 mijë lekë (të vjetra) dhe përdoren për t’u pajisur me pasaportë bullgare.
Mes të arrestuarve është edhe vëllai i kryetares së bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, Luan Mjeshtri.
Banorë të zonave të Gollobordës, Ostrenit dhe Trebishtit, të cilët sot janë pjesë e bashkisë Bulqizë dhe Stërblevë, pjesë e bashkisë Librazhd janë pahisur masivisht vitet e fundit me pasaportë bullgare, e cila u jep të drejtën e lëvizjes dhe punësimit kudo në Bashkimin Europian.



