
Vijojnë hetimet për ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Borsh, ku një shtetas mbeti i plagosur me armë zjarri.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, i dyshuar si autor i plagosjes. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Ngjarja ndodhi më datë 31.07.2025, rreth orës 02:20, në një lokal në fshatin Borsh, Himarë, ku dyshohet se shtetasi H. Ç. është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me shtetasin E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë, i cili e ka goditur me grusht.
Pas këtij momenti, H. Ç. është larguar nga ambienti i lokalit dhe është rikthyer i armatosur me një armë zjarri automatik, me të cilën ka qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur këtë të fundit në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, dyshohet se autori ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç.
Nga veprimet hetimore është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. V., i dyshuar për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në vendngjarje janë sekuestruar si prova materiale katër gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar që mund të jenë të përfshirë në konflikt.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.



