
Pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona në Kosovë, drejtori për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, ka dhënë dorëheqje sot.
Siç ka thënë ai këtë po e bën “si akt moral pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjecares ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”.
“Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Poashtu dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë dorëheqje.
“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, ka shkruar Sveçla në rrjete sociale.
Ai ka theksuar se tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra Mehmetit dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm Fehmi Hotin, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar edhe të dyshuarin e pestë për dhunimin e të miturës.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, ndërkaq, tha më 30 gusht, se ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave që dyshohet se kanë dhunuar 11-vjeçaren.
Një ditë më herët, masë e njëjtë iu caktua edhe dy të dyshuarve të tjerë.
E mitura dyshohet se u dhunua nga pesë persona më 27 gusht në Prishtinë. Policia e Kosovës tha se ajo është dërguar në një strehimore.



