
Policia e Gjirokastrës bën të ditur se ka arrestuar një 35-vjeçar në Kakavijë, pasi u kap duke transportuar gjashtë emigrant të paligjshëm kundrejt fitimit.
Policia njofton se një tjetër u shpall në kërkim, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po transportonin me automjetin tip “Audi A3”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.
Njoftimi i policisë:
Kakavijë; Goditet një tjetër rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, bie në pranga 35-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohet një automjet dhe një aparat celular.
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin B. K., 35 vjeç, banues në Gjirokastër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. B., 28 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri tjetrin, në aksin rrugor Sofratikë-Libohovë, po transportonin me automjetin tip “Audi A3”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.



