Policia e Vlorës iu ka ardhur në ndihmë dy turistëve holandezë, të cilët kishin humbur rrugën në Llogara.
Siç bëjnë me dije blutë e Vlorës, turistët kishin humbur rrugën, për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, duke e pasur të pamundur kthimin mbrapa, por fatëmirësisht janë gjetur dhe shpëtuar.
Kërkimet kanë vijuar deri në mesditën e sotme. Si rezultat i kërkimeve të pandërprera, u bë i mundur lokalizimi dhe marrja e kontaktit me dy turistët në vendin e quajtur “Qafa e thellë”, Llogara.
Aktualisht po bëhet transportimi i çiftit pranë vendndodhjes së tyre në Parkun e Llogarasë.
Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar shërbimet e kërkimit që iu erdhën në ndihmë.
Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve duke krijuar një ambient sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.



