Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Orizaj në Bashkinë Berat. Një 15-vjeçar është mbytur në lumë gjatë pushimit nga puna në arë. Rrjedha e lumit e ka marrë me vete dhe pavarësisht përpjekjeve të të atit, ka qenë e pamundur të shpëtohet.
Korrespondentja e MCN TV bën të ditur se trupi i pajetë i të riut Fatjon Sadushi është nxjerrë në breg nga i ati.
Në vendngjarje kanë shkuar efektivë të policisë dhe ambulanca, që e ka transportuar viktimën drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore. Grupi hetimor në vendngjarje po vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



