Një 31-vjeçar është vetëvrarë në Kamëz ditën e djeshme për shkak të pamundësisë për të paguar një faturë enegjie elektrike me vlerë të madhe. Siç raporton “Panorama”, Klajdi Muça, i cili kishte dalë nga burgu vetëm prej pak ditësh, pasi përfitoi nga amnistia, duhej të derdhte në arkën e OSHEE-së 80 mijë lekë të rinj, në mënyrë që të mos i ndërpritej energjia. Për shkak se e kishte të pamundur t’I gjente këto para, ai është vetëvarur në oborrin e shtëpisë, ku u gjet nga i vëllai.
Burimet thanë se familjarët kanë pretenduar se ngjarja ka ndodhur për shkak të problemeve të shumta ekonomike, pasi viktima ishte edhe i papunë dhe gjatë kohës që ishte në burg i ishin mbledhur shumë borxhe. Nga ana tjetër, ata kanë treguar edhe një debat që ai kishte bërë në zyrën e OSHEE-së që ndodhet përballë Bashkisë Kamzës, pasi kishte mësuar shumën që i duhej të paguante për dritat. Në momentin që ai ka debatuar me arkëtaren, aty ka pasur dhjetëra dëshmitarë që prisnin në radhë për të paguar dritat.
“Ku kam mundësi unë të paguaj kaq para? Veç të vras veten…” Këto kanë qenë fjalët e fundit të 31-vjeçarit Klajdi Muça, në zyrën e OSHEEsë në Kamzë, që janë dëgjuar nga dhjetëra dëshmitarë mesditën e së hënës, raporton “Panorama”. Menjëherë pasi ka debatuar aty, Muça është larguar duke përplasur derën dhe ka shkuar në shtëpinë e tij, që ndodhet në një rrugicë përballë Bashkisë së Kamzës, pak metra larg zyrës së OSHEE-së. Atë që kishte thënë në nerva e sipër, 31 vjeçari e ka bërë realitet me të mbërritur në shtëpi, duke lidhur një litar në një prej pemëve në oborrin e banesës dhe më pas është vetëvarur. “Ai mund të ketë pasur edhe 100 halle të tjera, sepse e njoh dhe ia di vështirësitë, por unë isha aty kur debatoi me arkëtaren. Ishin shumë para për t’u paguar. 80 mijë lekë për një faturë janë shumë edhe për ata që kanë rrogë, jo për atë që ishte i papunë dhe me një fëmijë të vogël për të rritur. Iu mblodhën të gjitha hallet bashkë dhe vrau veten”, u shpreh një nga dëshmitarët që po priste në radhë në zyrën e OSHEE-së për të paguar dritat.



