Liberalizimi i vizave, ka sjellë një frymë të re për qytetarët e Kosovës, të cilët tani mund të udhëtojnë pa viza drejt vendeve anëtare të BE-së për qëllime turistike, biznesi ose vizita familjare, raprotojnë mediat në Kosovë.
Një vendim i tillë, ka kontribuar drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e numrit të udhëtarëve që përdorin Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Kësisoj nga 1 janari kur edhe ka filluar zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave e deri më sot, në Aeroportin e Prishtinës janë realizuar 620 fluturime, kanë bërë të ditur nga Zyra për media e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
“Në total janë 620 fluturime duke përfshirë 309 në ardhje dhe 311 nisje”.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.



