Ministrja e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, ka pritur sot homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bojan Marichikj.
Tema thelbësore e bisedimeve ka qenë “përpjekja për forcimin e shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe qarkullimit të parave të paligjshme”.
Ndër të tjera, gjatë takimit, u bisedua mbi marrëdhëniet dypalëshe mbi bashkëpunimin gjyqësor si dhe marrëveshjet aktuale të zbatueshme.
Gjithashtu, bëhet me dije se ministrat shkëmbyen pikëpamjet për ecjen bashkërisht në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Fillimisht, mësohet se ministrat parashtruan ecurinë e reformave dhe shkëmbyen informacionin për funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Ministrat po ashtu u përqendruan në sfidat e ngjashme që hasin të dy vendet në zëvendësimin e kulturës së pandëshkueshmërisë me kulturën e integritetit, si dhe perspektivën për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian, kanë bërë të ditur nga Ministria e Drejtësisë.
Për të dy qeveritë, fokusi kryesor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit transnacional, pastrimit të parave, krimit ekonomik.
Në kuadrin e integrimit evropian ministrat u pajtuan për shkëmbimin e përvojave, duke ecur njëherazi me harmonizimin e legjislacionit në kapitujt 23-24 të legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e ndërsjellë në plotësimin e kritereve politike për hapjen e negociatave.



