
Amnistia e cila është në fazat finale të draftimit e më pas miratimit në parlament përjashton nga e drejta për të fituar lirinë të dënuar për një sërë veprash penale.
FactCheck sjell një tablo të krimeve që nuk falen:
Krimet kundër njerëzimit, krime kundër jetës kryer me dashje, krime kundër shëndetit kryer me dashje, krimet seksuale, krime kundër lirisë së personit, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit përfshihen ndër ato shkelje ligjore që nuk të nxjerrin nga qelia.
Edhe krimet në familje si ato ndaj fëmijëve, martesës, janë vepra penale të cilat nuk fitojnë amnisti. Krimet ekonomike si vepra penale në sferën ekonomike kundër pasurisë përjashtohen nga amnistia duke mos fituar as ulje dhe as lirim të parakohshëm nga burgu.
Një tjetër kategori veprash penale që nuk fitojnë amnisti janë falsifikimi i dokumenteve apo to që lidhen me veprimtarinë e palejuar të lojërave të fatit.
Ndërtimi pa leje dhe veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës po ashtu janë të përjashtuar nga amnistia.
Krime kundër autoritetit të shtetit, ato që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera apo krimet që lidhen me terrorizmin s’do mund të fitojnë amnisti edhe në rast të miratimit të këtij drafti.
Krimet e kryera nga grupe kriminale apo bandat e armatosur, ato që lidhen me krimet zgjedhore si dhe krimet kundër drejtësisë po ashtu janë të përjashtuara nga përfitimi i amnistisë.



