Anëtarja demokrate e Këshillit Bashkiak Elbasan, Doris Madhi, për dosjen “Kurum” dhe hetimet lidhur me skandalin e mbetjeve, thotë se çdo gjë është centralizuar në institucionet qendrore.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ajo deklaroi se ka një grup të strukturuar kriminal që niste nga këto organe dhe vazhdonte deri te Kryeministri.
E shoh si veprim paksa të vonuar nga Prokuroria, pasi duhet të kishte ndodhur kohë më para, atëherë kur Partia Demokratike denonconte me forcë ndotjen në Elbasan, apo pezullimin e përkohshëm të 500 punonjësve në fabrikën “Kurum” sipas orekseve financiare apo ngjarjeve që ndodhnin. Se sa herë bëheshin këto skema, ndërpritej puna.
Kjo skemë ka rënduar për vite mbi qytetarët e Elbasanit, pastaj mbi florën dhe faunën. Çdo gjë tashmë është centralizuar në duart e institucioneve qendrore. Nuk ekziston vetëm Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pasi kjo agjenci ka dhe degën e vetë në Elbasan. Dhe bashkia Elbasan ka degën e vetë të mjedisit, çdo gjë është përqendruar në duart e autoriteteve qendrore. Ka një grup të strukturuar kriminal që niste nga këto organe deri te Kryeministri.
Përgjegjësia nis që nga përgjegjësia profesionale, e cila jo rrallë herë është e mangët. Se të bësh krime të tilla që nisin nga krime mjedisore, krime financiare, shkon deri në përgjegjësinë drejt personit që është dërguesi kryesor dhe ai që emëron këta njerëz dhe ju jepte drejtën këtyre njerëzve të kenë kaq kompetenca dhe të krijojnë skema të tilla. Përgjegjësia shkon te Kryeministri. Sot bashkia Elbasan ka vetëm një kompetencë ndaj bizneseve të mëdha, që është aplikimi i tarifës mbi ndikimin në infrastrukturë. Çdo gjë është përqendruar në qeverinë qendrore.



