
Ish-Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe kërkon në Gjykatën e Lartë pavlefshmërinë e përgjimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme për abuzimin me tenderin me vlerë 24 milionë lekë për ndërtimin e një kanali vaditës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Kërkesa për mospranimin e përgjimeve është bërë nga avokatët e tij në shkallën më të lartë të gjyqësorit, pas refuzimeve të bëra në Apel apo shkallën e parë.
Fatos Tushe u arrestua në muajin korrik bashkë me ish-vartësit e tij nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.
SPAK pretendon se ish kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 24 milionë lekësh. Sipas SPAK, ndonëse fituese u shpall “Euro Alb”, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut. Një tjetër episod kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.



