39-vjeçari Bujar Sefa, alias Bujar Xaka, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me qëllim ekstradimin në Shqipëri, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendim të datës 23.05.2023, i kishte caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për disa vepra penale që lidhen me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, veprimtarinë e grupit të strukturuar kriminal dhe armëmbajtjen pa leje.
Sipas hetimeve, 39-vjeçari, bashkëpunëtor i grupit Rraja dyshohet se ka qenë drejtues i një grupi kriminal që në vitin 2020 ka kultivuar bimë narkotike në fshatra të njësisë administrative Cudhi, në Krujë.
Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.



