
Një nga banorët e Rrjollit është vënë në prangat e policisë dhe pesë të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi kanë goditur një punonjës të kompanisë “Gener 2” dhe kanë kanosur një punonjëse policie.
Gjithçka pasi banorët e Rrjollit prej javësh vijojnë protestën e tyre kundër projektit të “Gener 2” të Bashkim Ulaj, për ndërtimin e një fshati turistik, që përfshin vila dhe hotele luksoze, shtrihet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll.
Efektivët Shkodër ndaluan shtetasin Prek Molla, 60 vjeç, banues në fshatin Rrjollë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit L. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torrovicë; M. K., 33 vjeç, banues në fshatin Malecaj; D. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe; A. M., 30 vjeç, banues në fshatin Rrjollë dhe N. K., 35 vjeç, banues në fshatin Malecaj.
Këta shtetas dyshohen se dje, në fshatin Rrjollë, kanë goditur shtetasin L. A., 22 vjeç, banues në Tropojë, punonjës i firmës “Gener 2”, dhe kanë kanosur për shkak të detyrës shtetasen V. C., 30 vjeçe, banuese në qytetin Koplik, punonjëse policie e Komisariatit të Policisë Shkodër, si dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë nxitur akte dhune, duke dëmtuar disa mjete pune (ekskavator, foristradë) të firmës “Gener 2”, duke u thyer xhamat.



