Identifikohet, shoqërohet dhe procedohet penalisht, drejtuesi i kamionit, i cili duke transportuar një vinç, dyshohet se aksidentalisht goditi mbikalimin e këmbësorëve, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut” në Shkodër.
Në vijim të informacionit paraprak për rrëzimin e mbikalimit të këmbësorëve, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”, policia bën me dije se gjatë veprimeve të kryera nga grupi hetimor ka rezultuar se shtetasi S. Sh., duke transportuar një vinç, me kamion, dyshohet se aksidentalisht vinçi ka goditur mbikalimin e këmbësorëve, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”, duke e rrëzuar pjesërisht atë.
Shërbimet e policisë e kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër, drejtuesin e kamionit, shtetasin S. Sh., 60 vjeç, banues në Shkodër.
Mjetet kamion dhe vinç janë bllokuar në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet e tjera procedurale për këtë rast.



