Nuk donte të mbante djalin, kështu që pak çaste pas lindjes shkoi në tualet dhe e vrau me 15 goditje gërshëre. Jo vetëm kaq, por më pas trupin e hodhi në plehra, duke u thënë të gjithëve, përfshirë edhe partnerit të saj, se kishte pësuar abort spontan.
Protagoniste e kësaj ngjarje të rëndë është një grua angleze, Rachel Julie Tunstill, e cila po gjykohet nga një gjykatë në Preston, pasi vetëm pak ditë pas krimit horror, shkoi në spital me dhimbje të forta.
Aty mjekët kuptuan se gruaja kishte lindur prej pak kohësh. Ngjarja shokuese ndodhi në janar, kur sipas akuzës, gruaja kishte programuar gjithçka deri në detaje për vrasjen e të voglit, ndërkohë që partneri i saj ishte në një dhomë tjetër duke lozur videogame.
Nga hetimet e policisë, bazuar edhe në bisedat e saj telefonike, rezultoi se ajo kishte kërkuar disa herë informacione lidhur me mënyrat e abortit.
Vetëm kështu u zbulua se gruaja i kishte thënë më herët të dashurit të saj se kishte pasur abort spontan. Burri i cili nuk kishte kuptuar asgjë, tha në polici se Rachel kishte shkuar në banjo për afro 20 minuta gjatë të cilëve kishte dëgjuar disa zhurma, por nuk i’a kishte marrë mendja, se kishte vrarë të birin.
Gruaja nga ana e saj edhe në seancën e kësaj të mërkure, vijoi të pretendonte pafajësinë, edhe pse ekspertiza në trupin e foshnjës, konfirmoi që vogëlushi kishte lindur i gjallë, por se kishte vdekur prej prerjeve në trup.



